Site icon Telegrafi

Qeveria miraton vendimin për dërgimin e kontigjentit të FSK-së në Ishujt Falkland

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 110-të, mori vendim për t’i propozuar Kuvendit miratimin për dërgimin e deri shtatë ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me mision jashtë vendit që mund të zgjas deri tri vjet me mundësi vazhdimi.

Në njoftim thuhet se është miratuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands.

“Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar në shtator të vitit 2022 nënshkruan marrëveshjen për bashkë-zbarkime të forcave të tyre në misione ushtarake jashtë këtyre dy shteteve.

Atëbotë, zyrtarët e Kosovës thanë se nënshkrimi i marrëveshjes “rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”.

Kosova ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për angazhim të përbashkët të forcave ushtarake në misione të ndryshme.

Përmes këtij bashkëpunimi, me trupat amerikane, më 2021 një kontingjent i FSK-së u dërgua në Kuvajt – në misionin e parë jashtë vendit./Telegrafi/

Exit mobile version