Start-up i ri i veturave komerciale elektrike Arrival, këtë verë do të fillojë prodhimin e furgonave me panel plotësisht elektrik, teksa pritet që 20 furgona t’u dërgohen klientëve para përfundimit të këtij viti, Ky njoftim u bë në raportin financiar të kompanisë për tremujorin e dytë të vitit 2022.
Prodhimi i furgonave do të bëhet në qendrën për Kërkim dhe Zhvillim të firmës Bicester në Oxfordshire ku edhe u bë dizajni i saj. I quajtur thjesht Arrival Van, ai veçse i është nënshtruar një faze të shkurtër të testimit me një grup të përzgjedhur të klientëve privat dhe disa bizneseve, dhe së shpejti pritet që t’i nënshtrohet testimit edhe në pjesën qendrore të Londrës – një pjesë kyçe për furgonat elektrik.
Fabrika e dytë për prodhim e firmës në fjalë vend ndodhjen do ta ketë në Charlotte, Karolinë e Veriut, teksa hapja e saj është shtyrë deri në vitin 2023.
“Kemi pasur arritje të mëdha në tremujorin e dytë, duke përfshirë këtu edhe certifikimin evropian për produktet tona Van dhe Bus dhe testimet e suksesshme të brendshme në rrugët publike të këtyre dy produkteve” tha Denis Sverdlov, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Arrival, raporton AutoExpress, përcjell Telegrafi.
“Përveç kësaj, ne kemi marrë disa vendime strategjike që do të na lejojë neve të fillojmë prodhimin në Biceter gjatë këtij tremujori, dërgimin e veturave të para këtë vit për UPS, dhe fillimin e prodhimit në Charlotte në vitin 2023”, vazhdoi tutje Sverdlov.
Marka Arrival ka plane për hapjen edhe të disa linjave të tjera të montimit, ku secila linjë do të punësojë 200 punëtorë shtesë dhe do ta ngritë kapacitetin e prodhimit vjetor në 10,000 njësi.
Megjithatë, në raportin e fundit financiar, Arrival ka raportuar humbje prej 87.9 milionë eurove gjatë tremujorit të dytë, në krahasim me 55.1 milionë euro humbje të raportuara në të njëjtën periudhë në vitin 2021. /Telegrafi/