Dereck Chisora e ka siguruar fitoren e shumëpritur me nokaut kundër Artur Szpilka në O2 Arena të Londrës.
Pas telasheve që i shkaktoi boksieri polak në raundin e parë, britaniku u kundërpërgjigj fuqishëm në raundin e dytë.
Pas një goditje të fuqishme me të djathtën, duart e Szpilkas veçmë ishin poshtë kur Chisora e goditi edhe një herë fuqishëm dhe e rrëzoi në tokë.
Britaniku 35-vjeçar tash shpreson të përballet me ish-kampionin e WBO-së, Joseph Parker dhe të bëjë edhe një shtytje të madhe në skenën e kategorisë së peshave të rënda.
Vlen të përmendet se në vitin 2016, Szpilka e kishte sfiduar kampionin e WBC-së, Deontay Wilder, por amerikani i dha fund duelit në raundin e nëntë.
Ndërsa në muajin prill, Chisora u përball me boksierin shqiptar, Senad Gashi, meçin ndaj të cilit e fitoi me pikë. /Telegrafi/