Telegrafi

Derby County i Frank Lampardit e eliminon Unitedin nga Kupa EFL

Manchester United (Foto: Getty/Twitter/Manchester United)

Derby County e ka eliminuar Manchester Unitedin nga Kupa EFL (e njohur si Carabao Cup). Koha e rregullt e ndeshjes së zhvilluar në Old Trafford përfundoi me rezultat 2-2, ndërsa lojtarët mysafirë fituan pas penalltive.

Përmes disa pasimeve shumë të mira, vendasit shënuan që në minutën e tretë. Jesse Lingard ishte i fundit që asistoi te Juan Mata, ndërsa spanjolli shënoi.

Ky ishte gol i vetëm në pjesën e parë dhe me epërsi minimale të Djajve të Kuq, skuadrat shkuan në pushim.

Në gjysmën e dytë, ekipi që bën gara në Championship e barazoi rezultatin me një supergol të Harry Wilson nga gjuajtja e lirë (59′).

Nga minuta e 67-të, nikoqirët luajtën me një lojtar më pak në fushë, pasi portieri Sergio Romero u përjashtua me karton të kuq.

Unitedi pati raste në vazhdim me anë të Anthony Martial e Romelu Lukaku, mirëpo ishin mysafirët ata që e shënuan golin e dytë.

Jack Marriott e shfrytëzoi një top të kthyer nga intervenimi i portierit dhe shënoi me kokë (85′).

Dhe kur pritej që Derby të shkonte tutje, Marouane Fellaini e barazoi rezultatin me kokë (90’+5) pas një harkimi nga Diogo Dalot dhe ndeshja shkoi në penallti.

Dhe pas ekzekutimit të penalltive më të saktë u treguan lojtarët e Derby Countyt të Frank Lampardit që u kualifikuan në raundit e katërt të EFL Cup. /Telegrafi/