Telegrafi

Derbi i vjetër në Drenas, Prishtina përballet me Lirinë

Njëri ndër derbit më të mëdhenj në Kosovë pa dyshim që është ai mes Prishtinës dhe Lirisë.

Dy skuadrat e shumë përforcuara këtë edicion do të masin forcat me njëra tjetrën në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.

Të dyja skuadrat hyjnë në këtë takim pas fitoreve në javën e dytë, ndërsa në ndeshjet hapëse kishin pësuar humbje.

Mesfushori i Prishtinës, Lorik Boshnjaku ka thënë për faqen e klubit se do të përballen me një kundërshtar të fortë si Liria.

“E dimë që kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë siç është Liria të cilës edhe ia kemi analizuar pak a shumë lojën dhe e dimë që kemi të bëjmë me rival cilësor. Por, po ashtu edhe ne besojmë në cilësitë tona”.

Tutje Boshnjaku ka deklaruar se mendojnë vetëm për pikët maksimale ndaj Lirisë.

“Po ashtu kemi filluar të gjejmë edhe të hyjmë në formën tonë dhe të kompletohemi si ekip. Sigurisht që unë mendoj vetëm në fitore dhe se Liria do të jetë vetëm një kundërshtar i radhës që do të mposhtim në rrugëtimin drejt objektivave tona”, ka thënë Lorik Boshnjaku.

Ndërkohë kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj e pranon se i pret një ndeshje e fortë ndaj Prishtinës, mirëpo thotë se kanë punuar mirë për t’i treguar vlerat e tyre.

“Na pret një ndeshje e fortë dhe derbi ndaj Prishtinës”, tha fillimisht Gjeraj.

“Kemi punuar fortë. Besoj që të shtunën do të tregojmë vlerat tona. Jemi optimist se do marrim një rezultat pozitiv në përballje me Prishtinën”, ka deklaruar kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj.

Në ndeshjen tjetër të ditës së shtunë, në Gjilan do të përballet Drita me Flamurtarin.

Bardh e kaltërtit nga Gjilani synojnë të kthehen te fitorja pas humbjes në Pejës, ndërsa Flamurtari udhëton për të marrë pikët e para në kampionat.

Ndeshjet fillojnë nga ora 16:30. /Telegrafi/