Për shkak të angazhimeve të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026, orari i ndeshjeve të xhiros së 24-të në Ligën e Parë ka pësuar ndryshime, njofton Telegrafi.
Vëmendja kryesore do të jetë tek derbi i zjarrtë mes Vardarit dhe Shkëndijës, që hap këtë javë të kampionatit. Ndeshja zhvillohet të premten, më 14 mars, në orën 15:00, në kompleksin “Petar Miloshevski” pranë FFM-së.
Kujtojmë se në përballjen e fundit mes këtyre dy rivalëve, të luajtur në Shkup, Shkëndija triumfoi me rezultat 2-1. Vardari vjen në këtë ndeshje pas barazimit 1-1 me Sileksin në Kratovë, ndërsa Shkëndija regjistroi fitore minimale 1-0 kundër Pelisterit në Tetovë.
Përveç derbit, vëmendje të madhe pritet të marrin edhe duelet mes ekipeve shqiptare. Të shtunën, në orën 15:00, Voska Sport pret Rabotniçkin në një përballje vendimtare për mbijetesën, ndërsa Gostivari udhëton në Kavadar për të sfiduar Tikveshin, në një duel të drejtpërdrejtë për zonën e mesme të tabelës.
Shkupi, pas humbjes së fundit, do të kërkojë të rikthehet te fitorja kur të përballet me Pelisterin në stadiumin e vet. Ndërkohë, Besa e Dobërdollit do të presë liderin aktual, Strugën, në një ndeshje të vështirë, ndërsa AP Brera dhe Sileksi do të mbyllin programin e xhiros. /Telegrafi/