Derbi i javës së tetë në elitën e futbollit kosovar mes Llapit dhe Prishtinës i ka takuar vendasve që triumfuan 3-0.
Llapi e nisi mjaftë mirë ndeshjen duke shënuar edhe një gol vetëm pas kishin kaluar tetë minuta lojë.
Ishte ish-sulmuesi i Prishtinës, Gentrit Begolli që shënoi gol pas një aksioni të bukur.
Llapjanët vazhduan sulmet e tyre të njëpasnjëshme drejt portës së Visar Bekajt.
Në minutën e 24-të, kapiteni i vendasve Hamdi Namani u fut bukur në zonë dhe me një goditje të fuqishme ngriti epërsinë në 2-0.
Deri në fund të pjesës së parë dyja skuadrat tentuan shënimin e golave por nuk ia arritën.
Pjesa e dytë nisi me Prishtinën që kërkonte të rikthehej në lojë.
Fillimisht rrezikoi malazezi Bozhoviq, por pa sukses.
Ndërkohë afrikani Makenda ishte i pafat kur qëlloi shtyllën në minutën e 60-të.
Golin e tretë dhe të fundit në këtë sfidë për Llapin e shënoi sulmuesi Florim Bërbatovci.
Pas kësaj fitore Llapi vazhdon të mbetet lider në Superligën e Kosovës me 17 pikë të tubuara, ndërkohë Prishtina zë pozitën e tretë me 12 pikë.
Ndeshjen e radhës skuadra e Tahir Batatinës e luan në udhëtim Drita, ndërsa Prishtina pret Vëllaznimin. /Telegrafi/