Arbëria ka marrë një fitore të madhe përballë Drenicës me rezultat minimal 1-0.
Ishte një ndeshje shumë e luftuar nga fillimi i saj deri në fund, ku vendasit fituan falë angazhimit të madh në fushë.
Në minutën e 28-të vendasit realizuan nga afërsia me Filonit Shaqirin, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Argjent Mustafa i mysafirëve pati rast të mirë në fundin e pjesës së parë, por goditja e tij shkoi jashtë portës.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë i takoi në tërësi vendasve që ishin më këmbëngulës në ndeshje.
Almir Kryeziu e Gëzim Rusi patën raste të mira, por pa sukses.
E krejt në fundin e ndeshjes, Hysen Bytyqi u gjend bukur në zonë duke shënuar për 1-0.
Me këto tri pikë, Arbëria ngjitet në pozitën e gjashtë në tabelë me 20 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë Drenica mbetet në zonën e barazhit me dy pikë më pak.
Ndeshjen e radhës Arbëria përsëri e luan si vendas, teksa do t’i bëjë konak Llapit.
Në anën tjetër Drenica do të ketë duel të vështirë, pasi në Skenderaj pret kampionin në fuqi Dritën. /Telegrafi/