Derbi i Qytetit të Gjilanit u luftua për plot 90 minuta nga Gjilani dhe Drita, por në fund të dy skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë, pasi u ndanë me barazim 1-1.
Ndeshja nisi me koreografi të të dy tifozërive që kishin mbushur për plot tribunat në përkrahje të skuadrës së tyre të zemrës.
Në njërën anë ishin Skifterat, të cilët kishin ‘skuqur’ njërën tribunë dhe shpalosën koreografinë e tyre me motive patriotike, ku figura të shquara të historisë tonë si Agim Ramadani, Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari zinin vend në transparentin që shkruan: Unë, biri yt, Kosovë.
Nga ana tjetër ishin Intelektualët që valëvitnin flamuj të mëdhenj dhe një koreografi të bukur të shpalosur në mes.
Fillimi i takimit nisi më mirë për vendasit, të cilët gjetën golin pas vetën katër minutash lojë me anë të Betim Haxhimusës, i cili mposhti portierin Betim Halimi, pas një gabimi amator nga Gëzim Gashi.
Në vazhdim të takimit u luajt mjaft lojë e hapur, por pa arritur të krijojnë ndonjë rast të mirë për gol, pasi Gjilanit ishte i vendosur mirë dhe Drita nuk mundi të gjente dot hapësira.
Kështu, pas 45 minutave të parë, skuadrat shkuan në pushim me golin e vetëm të shënuar nga Haxhimusa.
Në pjesën e dytë rasti i parë shkoi për Gjilanin që rrezikuan me anë të Isa Eminhazirit (48’), por portieri Halimi ishte i sigurt në vend.
Gjilani rrezikoi edhe në minutën e 51 me anë të Haxhimusës, por goditjen e tij të fortë nga brenda zonës u prit përsëri nga gardiani i Dritës.
Drita rastin e parë në këtë pjesë e pati në minutën e 57 me anë të Qëndrim Sejdiut, i cili nuk u tregua i saktë nga gjuajta e lirë, ku nga rreth 20 metra goditi mbi portë.
Në minutën e 60 ndeshja u ndërpre për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike, por pas shtatë minutave loja filloi përsëri.
Në minutën e 71 Gjilani tenton përmes Eminhazirit nga ndërprerja, topin që po shkonte në portë e largon Betim Halimi.
Drita kishte rast të mirë të barazoj rezultatin në minutën e 80 dhe të marr një pikë nga ky duel shumë i luftuar, por goditja e Alban Shillovës u ndal nga shtylla.
Deri në fund të takimit, Drita provoi me të gjitha forcat të gjej golin e barazimit, dhe ky gol erdhi në minutën e gjashtë shtesë, ku ishte Përparim Livoreka, i cili shënoi nga afërsia dhe ndeshja përfundoi me barazim 1-1. /Telegrafi/