Java e 14-të në elitën e futbollit kosovar u hap me ndeshjen mes Drenicës dhe Trepçës ’89 ku vendasit shënuan fitore 1-0.
Por ditën e shtunë (sot), na presin tri super ndeshje të tjera në elitën e futbollit kosovar.
Padyshim që vëmendja kryesore e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Prizren ku do të zhvillohet derbi i javës.
Liria do ta presë Prishtinën në derbin e dy skuadrave të mëdha dhe me traditë në futbollin tonë.
Bardhezinjtë vijnë në këtë takim pas dy ndeshjeve pa fitore ku barazuan 2-2 me Vëllaznimin dhe pësuan 2-0 te Trepça ’89.
Ndërkohë Prishtina po kalon nëpër një formë mjaftë të mirë dhe nuk di humbje në pesë takimet e fundit ku ka shënuar katër fitore dhe ka marrë një barazim.
Interesant pritet të jetë edhe në Podujevë ku Flamurtari po i zhvillon ndeshjet pas suspendimit të stadiumit.
Skuadra kuq e zi do të jetë nikoqire e Dritës nga Gjilani e cila është këndellur dhe po kërkon të mbetet në garë për titull të kampionit.
Flamurtari është pa fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, ndërsa gjilanasit humbjen e fundit e kanë pësuar nëntë ndeshje më parë.
Në Gjilan pritet të zhvillohet një tjetër ndeshje interesante, ku Vllaznia e Pozhoranit do të mirëpres Vëllaznimin.
Skuadra nga Pozhorani ka trenin e fundit për të shpresuar në qëndrim në elitë dhe vetëm fitorja do t’i ngjallte shpresat e tyre.
Ndërkohë Vëllaznimi në katër ndeshjet e fundit nuk ka pësuar humbje duke marrë tri barazime dhe një fitore. /Telegrafi/