Java e 13-të në elitën e futbollit kosovar do të fillojë ditën e shtunë.
Vetëm një ndeshje është paraparë që të zhvillohet ditën e sotme dhe ajo është mes rivalëve nga kryeqyteti kosovar, Prishtinës dhe Flamurtarit.
Për shkaqe të njohura tanimë që stadiumi i Prishtinës ende nuk është gati, skuadra bardh e kaltër ndeshjet po i zhvillon në Drenas.
Edhe në javën e 13-të, Prishtina do ta presë Flamurtarin në Drenas në një ndeshje ku vendasit llogaritën si favoritë.
Bardh e kaltërtit aktualisht janë në pozitën e dytë në tabelë me 22 pikë të tubuara, një më pak se lideri Llapi.
Ndërkohë Flamurtari ndodhet në vendin e parafundit me vetëm shtatë pikë pas 12 ndeshjeve.
Prishtina llogaritet si favorite pasi janë edhe në formë të mirë ku në katër ndeshjet e fundit nuk kanë pësuar humbje.
Këtë sfidë do ta drejtojë gjyqtari Selim Isufi së bashku me ndihmësit Fatlum Berisha e Ramadani Hyseni. /Telegrafi/