Site icon Telegrafi

Derbi kosovar edhe në Ligën Ballkanike!

Aktualisht janë 9 ekipe të paraqitura për pjesëmarrje në edicionin e ri të BIBL, që lë të hapur të dyja opcionet. Nëse ngelen 9 klube deri në nisje të garave atëherë do të shkohet me sistemin e ligës, ndërkohë që deri atëherë paraqitet edhe një ekip, do të zhvillohet sistemi i grupeve. Tashmë është gati opsioni i grupeve dhe është bërë ndarja e tyre.

Në Grupin A bëjnë pjesë Galil Gilboa (Izrael), Balkan (Bullgari), Teodo (Mali Zi), Sigal Prishtina (Kosovë) dhe eventualisht një klub tjetër, derisa Grupi B përbëhet nga këto ekipe: Levski (Bullgari), SCM U Craiova (Rumani), Mornar (Mali Zi), Peja (Kosovë) dhe Kozuv (Maqedoni). Në rast se sistemi i garave të BIBL do të jetë në form të sistemit të ligës, ajo që do të ishte interesante është padyshim derbi kosovar ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës. Florian Miftari nga Sigal Prishtina thotë se do të ishte mirë të kemi derbi kosovar në BIBL, por ekipi i tyre është më shumë i fokusuar në lojërat me ekipet e huaja.

“Ne synim kemi që ta përfaqësojmë denjësisht Kosovën. E rëndësishme është pjesëmarrja dhe shpresojmë në një prezantim sa më të mirë. Për ne nuk ka rëndësi, se cili do të jetë formati i ligës, megjithëse mendoj se ndarja në dy grupe do të ishte më e mirë”. “Derbi kosovar në BIBL? Do të ishte mirë, megjithatë ne jemi të fokusuar më shumë në lojërat me kundërshtarët e tjerë të huaj”. Në anën tjetër Valdet Grapci kapiten i KB Peja, deklaroi se zhvillimi i garave në BIBL në formë të sistemit të ligës do të ishte i mundimshëm dhe me shpenzime të mëdha.

“Nëse garat zhvillohen në sistem lige, atëhere do të ishte me e mundimshme për shkak të udhëtimit, pasi që dihet se udhëtimet tona janë kryesisht me autobus. Poashtu shpenzimet e udhëtimit janë një tjetër faktor negativ”. Ndërsa në lidhje më një derbi eventual kosovar në BIBL, Grapci u shpreh: “Ne me Prishtinën kemi gjithnjë rivalitet. Nëse ka një derbi eventual në BIBL atëherë nuk do të jetë diçka më ndryshe”. Këtë sezon, poashtu pritet një ndryshim i rregullave të BIBL. Aktualisht rregullat e BIBL nuk lejojnë që të ketë më shumë se 4 lojtarë jo evropian në ekipet garuese. Gjatë lojës duhet që së paku 1 lojtarë të jetë vendor, pjesë e ekipit kombëtarë, dhe së paku një lojtar me shtetësi legale evropiane. Këto rregulla që nga ky sezon pritet të ndryshohen. /Zëri/Telegrafi/
 

Exit mobile version