Ferronikeli nga Drenasi dhe Drenica nga Skenderaj do të përballen sot nga ora 16:00, në kuadër të ndeshjes hapëse të javës së 8-të të Superligës së Kosovë. Një fakt interesant është se Drenica në fushën e vet është mysafire dhe këtë gjë do të mundohet ta shfrytëzojë maksimalisht.
Fitorja është imperativ i të dy rivalëve, pasi që ajo mund ti largoj nga pjesa e poshtme e tabelës. “Në fushën tonë jemi mysafirë dhe përballë do të kemi një kundërshtar shumë të fortë.Mirëpo, pas fitores nga Ferizaj një ekip pretendent për titull na ka kthyer moralin dhe na ka motivuar maksimalisht shumë. Gjithsesi ne pas barazimit me Fushë Kosovën para një jave, veçse kemi parë që po kthehemi në lojën tonë, kështu që më Ferronikelin vetëm do ta dëshmojmë këtë”, tha mesfushori i Drenicës, Dukagjin Gashi.
“Do të synojmë fitore, pasi që më të, përfundimisht do t’i japim fund rezultateve të dobëta dhe do të stabilizohemi ashtu siç duhet të jetë. Kjo është arsyeja pse ne nuk kërkojmë rezultat tjetër përveç fitore”, shtoi ai. Në anën tjetër Lapidar Lladrovci i Ferronikelit nuk e shqetëson fakti se luajnë në fushën e Drenicës, pasi që ata në “Bajram Aliu” ndihen si në shtëpi.
“Do të luajmë për fitore. Në këtë stadium ndihemi shumë komod dhe fare nuk mendojmë se jemi mysafirë”, tha Lladrovci, duke shtuar se Drenica pas fitores me Ferizaj, ka hyrë paksa në formë, por ekipi i tij këto gjëra nuk i shikon dhe ata do të kërkojnë tre pikëshim që mund ti këndell për vazhdimin e garave. /Zëri/Telegrafi/
Superliga – java 8-të:
E shtunë
Ferronikeli – Drenica
E diele
Drita – Hajvalia
Trepça’89 – Fushë Kosova
Hysi – Trepça
Ferizaj – Besa
Prishtina – Llam.Kosova
Ndeshjet fillojnë në ora 16:00.