Ka qenë një fillim mjaft premtues i epokës së Hansi Flick si trajner i Barcelonës. Parasezoni zakonisht nuk dhuron paraqitjet më të mira të mundshme nga ekipet, por ato të Barcelonës në Amerikë kanë qenë të jashtëzakonshme.
Serinë pozitive të rezultateve në turin parasezonal, Barcelona e vazhdoi me fitore edhe ndaj Real Madridit në miqësoren e cila u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit të së dielës.
Pau Victor ishte heroi për Barcelonën, pasi shënoi dy golat për triumfin e blaugranasve me rezultat 2-1.
Sipas Mundo Deportivo, Flick ka thënë fjalë të mëdha për 22-vjeçarin, i cili u rikthye në ekip nga Girona javën e kaluar.
“Dy ndeshje, tre gola, jo keq. Ai e di se si të shënojë dhe kjo është gjë e mirë për një sulmues. Dera është gjithmonë e hapur për ekipin e parë”, ka thënë Flick.
Ka pasur dyshime nëse Victor do të mbetet pjesë e Barcelonës për pjesën tjetër të sezonit ose nëse do të huazohet sërish diku tjetër, megjithëse paraqitjet e tij mund t’ia kenë dëshmuar të kundërtën Flickut.
Tekniku gjerman në përgjithësi u nda i kënaqur me atë që pa nga ekipi i tij në këtë ndeshje miqësore.
“E dija se është Clasico dhe një ndeshje e madhe për t’u luajtur ndaj Real Madridit. Sërish, kur ne mbrohemi thellë, është një problem, por ne bëjmë presion mirë dhe ky është objektivi ynë gjatë ndeshjes”.
“Ekipi është përmirësuar. Përveç punës së mirë në mbrojtjes dhe problemit që mbrohemi shumë thellë, është shumë mirë të shohësh atë që bëjmë kur kemi topin në këmbë”, përfundoi gjermani./Telegrafi/