Site icon Telegrafi

“Der Standard”: Serbia dhe Shqipëria luajnë me kufijtë e Ballkanit

Gazeta më e madhe austriake “Der Standard” ka publikuar një analizë për Shqipërinë dhe Serbinë.

Më konkretisht e përditshmja shkruan për lojën mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq për të joshur sa më shumë shtetas të Kosovës që të marrin pasaportën shqiptare apo serbe.

Analiza e gazetares Adelheid Woelfl, titullohet “Serbia dhe Shqipëria luajnë me kufinjtë e Ballkanit”.

Kjo e fundit thekson se krahas presidentit serb, politikën e “fqinjësisë” e ka zbuluar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ai jo vetëm është përzierë në politikën e partive politike shqiptare në Maqedoni, por ka emëruar edhe katër shqiptarë nga Kosova si zëvendësministra. Dhe, ai paralajmëroi që do të lehtësojë qarkullimin në pikën kufitare me Kosovën”, shkruan Der Standard për Ramën.

Gazeta e njohur shkruan se e gjithë kjo sipas po ndodh në të njëjtën kohë kur po zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në analizë theksohet se marrëveshja historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të çojë te një njohje indirekte e Kosovës nga Serbia. Por autorja Woelfl, nënvizon se rivendosja e kufijve në vija etnike, jo e bazuar në integritet territorial, është në interes të dy personave.

“Kjo i shërben para së gjithash dy politikanëve: presidentit serb, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilët prej disa kohëve e paraqesin veten si udhëheqës të të gjithë serbëve dhe shqiptarëve, me qëllim për të arritur një ‘pajtim historik’, siç e quan Vuçiq”, shkruhet në analizë.

Ndërkohë, shkrimi mbyllet dhe me një kritikë për Bashkimin Europian.

Sipas gazetës, shumica e përfaqësuesve të BE-së, kanë lavdëruar dy liderët, që kanë vizituar njëri-tjetrin.

“Kjo është shumë e çuditshme, sepse marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë nuk kanë qenë asnjëherë ndonjë problem”, shton gazetarja austriake, që konsiderohet si një njohëse e mirë e aktualitetit në Ballkan.

Exit mobile version