Site icon Telegrafi

Deputetja zvicerane reagon ndaj golave të Xhakës dhe Shaqirit: Nuk ishin golat për Zvicrën, por për Kosovën

Në shtetin e bukur të Zvicrës vazhdon të jetë aktive tema e golave të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës.

Shumica e zviceranëve janë gëzuar për fitoren e Kombëtares së tyre 2-1 ndaj Serbisë.

Por ka edhe nga ta që ju ka penguar festimi me shqiponje i dy lojtarëve tanë që mbrojnë ngjyrat e tyre.

Graniti ‘bombardoi’ portën e serbëve me një goditje të fuqishme, ndërsa Xherdani i artë i gjunjëzoi me një gol mjeshtëror në minutën e 90-të.

Festa e Granit Xhakës. (Getty Images)

Festa e lojtarëve shqiptarë duke bërë shqiponjën dy krenare i ka penguar deputetes së Partisë Popullore në Zvicër.

Natalie Rickli ka qenë aktive gjatë ndeshjes në llogarinë e saj në ‘Twitter’.

Postimi i parë nga Natalie Rickli

“Super gol nga Xhaka, dhe çfarë po bënë ai për Kombëtaren tonë? Shqiponjën shqiptare”, ishte postimi i parë nga Rickli ku ia bashkëngjiti një figurë nervoze.

Me të përfunduar ndeshja Rickli ka shpërthyer në llogarinë e saj, pasi të njëjtën gjë e bëri edhe Shaqiri.

Graniti duke festuar golin e fitores (Getty Images)

41-vjeçarja ka thënë se golat nga Xhaka dhe Shaqiri nuk ishin për Zvicrën por për Kosovën.

“Nuk mund të jem e lumtur me të vërtetë. Dy golat nuk janë shënuar për Zvicrën por për Kosovën”, ka shkruar Rickli.

“Nëse Përfaqësuesja e Kosovës fiton një ditë unë do të jem e lumtur për ju, por në Kampionatin Botëror ne jemi me Zvicrën”, tha ndër tjera deputetja zvicerane.

Postimi i dytë nga Natalie Rickli ku u komentua jashtëzakonisht shumë nga tifozët zviceran që mbrojtën dy futbollistët tanë

E pas këtyre statuseve, llogaria e Rickli në Twitter është pushtuar nga tifozët e Zvicrës të cilët kanë kërkuar nga ajo që t’i largojë ato pasi kanë dalë në mbrojtje të futbollistëve më të mirë që kanë, Xherdanit dhe Granitit. /Telegrafi/

Exit mobile version