Deputetja e Listë Guxo, Jeta Statovci, ka reaguar pas formimit të ekipit serb për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Statovci, përmes një postimi në platformën “X” fushatën diplomatikë të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, e ka cilësuar goditje ndaj Marrëveshjes së Brukselit.
“Angazhimi dhe fushata diplomatike e Beogradit kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, është një tjetër goditje e Serbisë ndaj Marrëveshjes së Brukselit. Një qasje e tillë dëmton rëndë besueshmërinë e procesit, teksa BE duhet të ketë qasje më të balancuar”, ka shkruar Statovci, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po tregohet i njëanshëm në raport me respektimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Krasniqi ka thënë se BE nuk komenton kur Serbia shkel marrëveshjet e Brukselit si në rastin e themelimit të task-force për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por ndryshe ndodh me Kosovën.
Bashkimi Evropian tha gjatë sitës se nuk dëshiron të komentojë paralajmërimet e Serbisë se do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Peter Stano, u pyet nëse veprime të tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve – të arritur një vit më parë – por, ai nuk deshi të komentojë.
“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano. /Telegrafi/