Telegrafi

Deputetja Reshitaj kundër opozitës, merr pjesë në votimin e masave emergjente për energjinë

Foto: Arkiv

Opozita e la lëshuar seancën e kuvendit, për shkak të vonesave dhe pritjes së deputetëve të opozitës.

I pari këtë e bëri të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e pastaj edhe Abelard Tahiri i PDK-së, i cili tha se kërkojnë përgjegjësi dhe angazhim më serioz nga pozita. Pas tyre, foli edhe Besnik Tahiri nga AAK-ja i cili tha se në këtë seancë nuk kishte kushte pune dhe sipas tij seanca duhej të mbyllej.

E në sallë qëndroi vetëm deputetja Albena Reshitaj e cila tha se do të votojë pro vazhdimit të masave emergjente nga Qeveria e Kosovës.

“Ashtu siç e kam thënë edhe në seancën e kaluar, unë do të votoj pro vazhdimit të masave emergjente nga Qeveria e Kosovës, për arsye mendoj që të gjithë ne duhet të jemi vigjilent dhe duhet të përkrahim çdo mundësi të masave emergjente për ta tejkaluar krizën energjetike veç se e kemi afër”, tha Reshitaj.

“Qeveria duhet të dal me alternativa konkrete furnizuese me energji elektrike për qytetarët e vendit dhe të informohen në kohë reale qytetarët për çdo mundësi e ndryshim që mund të ndodh në ditët në vazhdim. Na pret një krizë e thellë energjetike, prandaj konsideroj që është në interes të qytetarëve që Qeveria të përdor të gjitha kapacitetet e saj për ta bërë sa më të lehtë këtë situatë”, përfundoi ajo. /Telegrafi/