Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, gjatë një debati në Parlament, lidhur me çështjen e Ballkanit Perëndimor, ka folur edhe për Kosovën.
Në një video që ka shpërndarë edhe në rrjetin social Twitter, ka thënë se ndjehet më e lehtësuar ndërsa Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ka konfirmuar se nuk e mbështetë krijimin e enklavës serbe në Kosovë përmes Asociacionit.
Ajo shtoi se për Britaninë është e rëndësishme të mos rrënjoset më tej etno-nacionalizmi në Ballkan.
“Shumë e lehtësuar kur dëgjova Qeverinë të konfirmojë se nuk do të mbështesë krijimin e një enklavë serbe në Kosovë. E rëndësishme është që ne të mos e rrënjosim më tej etno-nacionalizmin në Ballkan”, shkroi Keans.
Po ashtu Kearns ka pyetur gjatë seancës qeveritarët nëse e kanë kundërshtuar këtë ide të krijimit të një Republika Srpska të re dhe nëse do të bllokohet Republika Srpska që të manovrojë në bursën e Londrës, duke thënë se me këtë po i financon planet e ambiciet që ka për t’u shkëputur nga territori i Bosnjë-Hercegovinës.
Ndërkaq Ministri për Evropë, Leon Docherty, u shpreh se Qeveria britanike është kundër një aranzhimi të tillë, dhe se ky është qëndrim i ekzekutivit britanik.
“Edhe ne ndajmë shqetësimet e saj, nuk bëhet fjalë që të lejohet një enklavë etnike në Veri të Kosovës. Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve. Këtë pikë ua kam bërë të qartë në Beograd dhe në Kosovë kur isha në vizitë në fund të vitit të kaluar”, është përgjigjur ministri.
Ndërkaq, më herët, gjatë të martës, ambasadori Nicholas Abbott, ka thënë se Kosova është vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike.
Tutje ka shtuar se nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklave monoetnike.
“Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi për serbët e Kosovës që të jenë pjesë integrale e Kosovës. Kosova është një vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike. Nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklavë monoetnike”, ka shkruar Abbott në Twitter.
Çështja e Asociacionit, u diskutua edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Ambasadori Jeff Hovenier tha gjatë ditës se SHBA-ja e ka bërë të qartë tashmë se nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës ose që kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik të saj.
“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi Hovenier./Telegrafi/
Very relieved to hear the Government confirm that they will not support the creation of a Serb-enclave in Kosovo.
Crucial we do not further entrench ethno-nationalism in the Balkans. pic.twitter.com/RytJaWfAMb
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) January 31, 2023