Site icon Telegrafi

Deputetja Hoxha: Kryeministri Kurti po bënë luftë gjahu ndaj sindikatave

Foto: Arkiv

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti se po bënë luftë gjahu me sindikatat e pavarura.

Në seancën plenare, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se paaftësia e Qeverisë Kurti për t’i dal në ballë premtimeve që vet i kanë bërë ndaj sindikatave, po i konvertojnë në shantazh dhe kërcënim direkt ndaj tyre.

Ajo i bëri thirrje kreut të qeverisë t’i trajtojë kërkesat sindikatave, pasi për zbatimin e tyre është angazhuar gjatë sa ka qenë në opozitë.

“Sot zotëri Kurti nuk i pret më as për dialog, as për zotim dhe as për obligim. Në fakt me sindikatat po sjell diçka të re dhe të paprecedent në demokracinë tonë, që është shantazhi, kërcënimi direkt, antiligjor dhe anti kushtetues ndaj tyre. Më duhet të them se është një pamje jo e mirë për demokracinë tonë. Deklarata e kryeministrit se duhet të ishte më mirë ndryshime edhe në përfaqësimet e sindikatave vjen në një kohë kur sindikatat kërkojnë dialog për kërkesat e tyre. Mbase mund të kuptoj se organizimi dhe përfaqësimi sindikal në Kosovë edhe mund të ndryshojë, por kjo është një çështje tjetër dhe një debat i brendshëm i sindikatave”, tha Hoxha.

“Ajo çfarë deklaron kryeministri, përveç që është ndërhyrje sipas ligjit është edhe degradim i nivelit dhe punëtorëve të cilët sot apo nesër duan t’i kërkojnë të drejtat e tyre përballë qeverisë. Është e papranueshme që paaftësia e kësaj qeverie për t’i dal në ballë premtimeve që vet i ka dhënë ndaj sindikatave të konvertohet sot në gjah kundër tyre”, ka përfunduar ajo. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version