Site icon Telegrafi

Deputetja e PD-së nuk do ta votojë versionin aktual të demarkacionit

Deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi, e cila është pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, ka thënë se do të votojë kundër versionit aktual të demarkacionit. Ka thënë se qëndrimin nuk e ka ndërruar megjithëse ka thënë se do t’i lexojë faktet e reja që janë përmendur nga Qeveria e Kosovës.

“Nëse Qeveria dërgon në Kuvend të njëjtin version atëherë unë do të votoj kundër”, ka thënë Demi.

Zyrtarët e PDK-së kanë thënë se grupi i tyre parlamentar është unik dhe se të gjithë deputetët do të votojnë pro demarkacionit.

Sidoqoftë, Labinotë Demi thotë se deputetët s’bën t’i binden asnjë vullneti tjetër, përpos vullnetit të qytetarëve dhe të vendosin vet për çështje që do të vijnë për votim në Parlament.

“Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi asnjë vullneti tjetër përpos vullnetit të qytetarëve. Edhe sa i përket demarkacionit e kam thënë se do të votoj kundër dhe ai qëndrim mbetet ende. Do t’i lexoj edhe faktet e reja që po thuhet se i ka Qeveria”, ka shtuar ajo, për Express.

Shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është shndërruar në problemin kryesor të kësaj Qeverie. Madje, është paralajmëruar nga Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit se nëse nuk kalon demarkacioni atëherë humbet edhe arsyeja e vazhdimit të koalicionit PDK-LDK.

Deri më tash kundër demarkacionit deputetë të LDK-së, si Shpejtim Bulliqi, Vjosa Osmani, Adem Salihaj, Anton Quni, Arben Gashi, Gezim Kelmendi. Qëndrim kundër kishte shprehur edhe Adem Grabovci i PDK-së. Ndërkohë, edhe Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kui, i cili është Zëvendëskryeministër kishte votuar i kundër versionit aktual të Qeverisë.

Exit mobile version