Telegrafi

Deputetja e parë shqiptare në Kroaci, tregon si do t’i mbrojë interesat e shqiptarëve

Deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Përlaskaj ka thënë se është e para përfaqësuese që mbron interesat e pakicës shqiptare në Kroaci.

“Për të parën herë shqiptarët e Kroacisë e kanë një përfaqësues në parlamentin kroat.”

“Përveç shqiptarëve unë përfaqësoj edhe komunitete tjera të vogla në Kroaci”, ka thënë Përlaskaj në “Ora e Fundit” në Klan Kosova.

Ajo ka shtuar se deri tash në parlament interesat e shqiptarëve i ka mbrojtur një përfaqësues boshnjak.

“Deri tash neve na ka përfaqësues atje një deputet boshnjak, por që nuk ka mbrojtur interesante  shqiptarëve, por vetëm të komunitetit që i ka takuar”, ka shtuar ajo.

“Në institucionet shtetërore nuk kemi pasur asnjëherë një përfaqësues. Jam pjesë e qeverisë atje dhe kam thënë se çdo herë do të jem me fituesin për të përmbushur objektivat tona.”

“Me kryeministrin kroat e kemi bërë një marrëveshje, ku janë edhe përfaqësuesit e pakicave të tjera, si cek, hungarez, serb, italian dhe romë. Së bashku kemi qenë në negociata me mandatarin e atëhershëm dhe kemi arrit që të akordohemi në disa pika”.

“Për shqiptarët unë atje kam kërkuar një shtëpi të kulturës, e dyta që ne të integrohemi në institucionet kroate dhe të hapen vende pune për ne.”

“Pastaj kam kërkuar të bëhet një marrëveshje që nga Kosova atje të sjellë fuqi punëtore. Kam kërkuar të hapet Instituti Albanologjik në Zagreb si dhe të rinjtë të shkollohen atje”, ka thënë Përlaskaj.