Telegrafi

Deputetja e LVV-së padit Abdixhikun, Ramën e Kica-Xhelilin, shkak deklaratat e tyre për “Rrugën A”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka dorëzuar padi ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetares së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Padia është bërë për shkak të deklaratave të tyre lidhur me  “Rrugën A” dhe vendimin që ka marrë Gjykata Komerciale.

Lexo po ashtu Rama: Kompania që nuk po lejohet të vazhdojë ndërtimin e “Rrugës A” është duke punuar në dy projekte të qeverisë Kurti

“Sot jam këtu që të dorëzoj padi kundër kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetares dhe deputetes Doarsa Kica-Xhelili lidhur me rastin e rrugës A dhe vendimin e Gjykatës Komerciale”, tha  Pacolli.

Ajo shtoi se Abdixhiku, Rama e Kica-Xhelili kanë shpifur dhe kanë denigruar autoritetin e saj.

“Ata shpifin dhe fyejnë dhe denigrojnë autoritetin tim duke më akuzuar pa fakte. Me statuset e tyre publike kanë nxitur opinioni publik, kundër meje, kanë nxitur qytetarët e Prishtinës të reagojnë kundër meje pa pasur asnjë fakt dhe në mënyrë shumë të padrejtë. Unë pres që Gjykata ta shqyrtojë me kujdes lëndën time”, u shpreh deputetja Pacolli.

Lexo po ashtu Abdixhiku: Ndalimi i punimeve për ndërtimin e “Rrugës A” çmenduri, gjykatësja motra e deputetes në pushtet

Pacolli shtoi se motra e saj ka punën e vet.

“Motra ime ka punë e vet, unë kam punën time, të dyja e bëjmë punën tonë profesionale. Ata e kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe më kanë akuzuar padrejtësisë veç pse jam motra e gjyqtares Vlora Pacolli. Ajo e ka pasur rastin e Rrugës A, ju e dini që rastet ndahen me rend. Ne presim që Gjykata të merr vendim”, tha Pacolli. /Telegrafi/