Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës gjatë ditës pati debate me akuza e kundër-akuza sa i përket procesit të subvencionimit të teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit.
Opozita pati akuza të ashpra ndaj pushtetit, ku ndër të tjera deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, pasi ua vendosi foltore fotografitë e Dejona Mihalit dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, i akuzoi për “krim të organizuar” në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.
“Ky skenar është i organizuar. Ka erë të madhe të korrupsionit që shkon në krim të organizuar”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Kastratit dhe fotografive që la në foltore u reagoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj – Sadiku, teksa foli në terma superlativë për Koordinatoren e Komiteteteve në LVV, Dejona Mihali.
Sipas saj, edhe PDK-ja edhe LDK-ja ua kanë zili për Mihalin dhe se falë punës së saj LVV-ja ka marrë mbi 50 për qind të votave.
“Nuk ndihna aspak mirë si femër, si grua, si bashkëshorte si nenë kur vendosen këto pano më pak nga një profesor, pseudo profesor, që i edukon gjeneratat e reja, sepse këto janë nënat motrat tonë shqiptare”.
“E si duket PDK-ja na ka zili që kemi një kapacitet të tillë si Dejona Mihali. E cila ka qenë shefe e shtabit bashkë me Besnik Bislimin. Dhe pikërisht idetë dhe vizioni i saj na kanë sjellë te 51 përqindëshi. Prandaj nuk është e mirë një gjë e tillë që e bëni. Na e keni edhe ju LDK-ja, se ju jeni mbetë sa dy ekipe të volejbollit, as lojtarë rezervë nuk keni…”, ka thënë deputetja e LVV-së.