Telegrafi

Deputetja e LVV-së i kërkon falje publike profesorit Paci

Deputetja e Vetëvendosjes Fjolla Ujkani, ka kërkuar falje publike ndaj profesorit Lulzim Paci, pasi e kishte kritikuar për videon në Tiktik, duke kërcyer.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ujkani ka thënë se qasja e saj nuk ka qenë bullizuese ndaj profesorit.

“Së pari, dua të sqaroj që në karakterin tim, bullizmi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim. E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkqija ndaj meje. Më vjen shumë keq nëse reagimi im e ka lënduar profesorin Paci, për çka edhe i kërkojë falje publike”, tha ajo

Në reagimin e saj thotë se ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, por assesi lëndimin e dikujt tjetër.

Lexo po ashtu Të shtunën organizohet protestë në Prishtinë dhe Vushtrri, në mbështetje të profesorit Lulzim Paci

“Reagimi im ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër.
Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish gjimnaziste”, shprehet Ujkani.

Në fund ka kërkuar që reagimi i saj ndaj profesorit mos të përdoret me qëllime politike.

“Prandaj, kërkoj nga të gjithë me mirëkuptim, që mos ta përdorin reagimin tim për sulme me qëllime politike kundër meje”, tha Ujkani./Telegrafi/