Telegrafi

Deputetja e LVV-së për Projektkodin Civil: Homoseksualiteti është shthurje dhe degjenerim moral, shkak i sëmundjeve siç është HIV

Deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi, ka thënë se është kundër miratimit të Kodit të ri Civil.

Në seancën e Kuvendit ajo ka thënë se arsyeja pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik.

Murtezi tha se çdo marrëdhënie jashtë gjinive të ndryshme konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral, duke bërë kështu të reagojë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtës së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesit”, tha ajo.

Lexo po ashtu ​Konjufca i reagon deputetes së LVV-së: Këto terme janë të padrejta

Sipas saj, plotësimi i nevojave seksuale në forma të shthurura në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut përbën veprim që dëmton rëndë shëndetin publik.

“Homoseksualiteti bëhet shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është HIV. Duke qenë se në kuvend kemi shumë deputetë që vijnë nga sfera e shëndetësisë, sfidoj të gjithë me radhë nëse kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Murtezi./Telegrafi/