Telegrafi

Deputetja e LDK-së për aksidentin që shkaktoi ministrja Hajdari: Fëmija ishte vajzë, pse nuk po e tregoni drejt gjininë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, ka përgënjeshtruar Policinë e Kosovës lidhur me aksidentin e trafikut ku u përfshi Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Policia njoftoi të hënën se Hajdari derisa ishte duke drejtuar veturën e saj, kishte goditur një fëmijë të gjinisë mashkullore.

Por, sipas Dumoshit, policia nuk e ka treguar drejt gjininë e fëmijës.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, deputetja e LDK-së ka thënë se viktima është vajzë, e cila ka lindur në vitin 2012.

“Cili është shkaku që edhe gjininë nuk e tregoni drejt?”, ka pyetur Dumoshi-policinë, ndërsa për ministren Hajdari ka thënë se “gënjeshtra në raste të tilla është mëkat!”.

Lexo po ashtu Policia jep detaje për aksidentin e shkaktuar nga ministrja Hajdari

Lidhur me rastin ka reaguar edhe vetë ministrja Rozeta Hajdari, sipas së cilës fëmija është përplasur në veturën e saj, derisa i njëjti ishte duke kaluar rrugën.

“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time.  Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.

Ndaj deklaratës së ministres Hajdari ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, duke i kërkuar të ketë kujdes nga deklarime të tilla.

“Fëmija shkoi e u përplas te makina dhe apo e kundërta. Çfarë deklarate është kjo zonja ministre?! Ndonëse raste si ky mund të na ndodhin secilit, aman kujdes me deklarimet.  Fëmiut i uroj shëndet të shpejt. Lutem ta kalon me lehtësi”, ka shkruar ajo në Facebook./Telegrafi/