Deputetja FLora Brovina ka thënë gjenocidi nuk ka ndodhur vetëm gjatë luftës së fundit për herë të parë ndaj popullit të Kosovës.
Ajo në seancën e Kuvendit ka përmendur edhe gjenocidin në regjionin e Nishit dhe Vranjës.
“Duhet të kujtojmë gjenocidin e ndodhur në regjionin e Nishit, të Vranjës e gjithandej ku kanë jetuar shqiptarët e me projekte shtetërore janë shpërngulur, janë dhunuar, dhe kjo është vetëm një vazhdim i këtij terrori. Pajtohem se rezolutës duhet t’i shtohen edhe disa fakte tjera. Në Kosovë ka ndodhur helmimi masiv ndaj fëmijëve shqiptarë në shkolla, për këtë kam sjellë shumë argumente sepse disa në sallë nuk besojnë që në Kosovë ka ndodhur një helmim i tillë. Kam të drejtë të flas sepse gjatë 6 viteve kam përcjellë fatin e këtyre fëmijëve dhe kam edhe argumentet nga studiuesit ndërkombëtarë në gjuhët e tyre dhe këto janë dëshmi”, ka thënë ajo.
Brovina ka përmendur edhe vetëvrasjet e ushtarëve shqiptarë në ish-Jugosllavi.
“Gjenocid apo krim ndaj njerëzimit është edhe mbyllja e shkollave shqipe. Ju solla një fakt se vetëm nga familja Veseli kam një numër qytetarësh, nxënësit nga Mitrovica e Presheva e Bujanoci që solidarizohen me nxënësit shqiptarë. Janë mija nënshkrime të deponuara në Kombet e Bashkuara, në Unicef dhe disa shtete, se mbyllja e shkollave ka qenë formë gjenocidale. Kryerja e vetëvrasjeve në thonjëza të ushtarëve shqiptarë. Kjo është formë që duhet shtuar rezolutës me të gjitha masakrat”, është shprehur ajo.
Në fund deputetja Brovina ka treguar një fotografi të një vajze 7 vjeçare e cila sipas saj ka vdekur gjatë dhunimit nga forcat serbe.
“Ky fëmijë me lejen e prindit – nënës e dëshmoj se ka vdekur gjatë dhunimit, 7 vjeç vajzë. E vërteta duhet të mbërrij ku duhet, ajo është akuza për gjenocid”, ka thënë Brovina. /Telegrafi/