Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku është konfirmuar dënimi që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës më 15 maj të vitit 2015 ndaj të akuzuarave në rastin e njohur si “Drenica II”, nesër pritët që të japin dorëheqje nga pozitat e tyre kryetari Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku dhe deputeti i PDK-së, Fadil Demaku.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress Nexhat Demaku, i cili ka thënë se po ashtu do të jep dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.
E pas dorëheqjes së Fadil Demakut nga pozita e deputetit, vendin e tij do ta zë Nehat Baftiu.
Sipas listës së KQZ-së, Baftiu është i pari në listën e pritjes së PDK-së. Ai në zgjedhjet e fundit mori 8087 vota.
Bafriu me profesion është anesteziolog dhe vie nga Komuna e Ferizajt.
Apeli ua ka konfirmuar dënimin edhe dy vëllezërve tjerë Zeqir dhe Jahir Demaku me nga 6 vjet burg, Isni Thaçit me 6,5 vjet burg, Sylejman Selimit ia kanë zvogëluar një vit burg në 7 nga 8 që ishte dënuar si dhe vëllezërve Demaj, Bashkim, Driton, Selman dhe Agim Demaj me tri vjet burg, transmeton KosovaPress.
Të gjithë këta janë dënuar për krime lufte në rastin e njohur si “Drenica II”.