Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bislim Zogaj, ka thënë në një prononcim për Telegrafin se tërheqja e nënshkrimit të tij për seancë të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit është për arsye se nga dita e shtunë e dhënies së nënshkrimit deri më sot në lidhje me rastin ka pasur shume spekulime.
Sipas tij, qëllimi i tij ka qenë që të jap kontributin e tij në lidhje me zbardhjen e së vërtetës, mirëpo ka shtuar ai, gjatë këtyre ditëve është thelluar hendeku dhe është i bindur se thirrja e seancës së jashtëzakonshme vetëm se do ta thellonte hendekun dhe armiqësinë si në mesin e deputetëve ashtu edhe opinionit.
“Duke mos dashur të jem pjesë e atyre të cilët po e vrasin Astritin për së vdekuri dhe duke llogaritur se shumë shpejt do të del opinioni i organeve kompetente për të cilat unë ende kam besim në to, përkundër zhgënjimit në vonesat e deklarimit të tyre, kam tërheq nënshkrimin për seancë të jashtëzakonshme”, tha Zogaj.
Në pyetjen e bërë se a është bërë presion për të tërhequr nënshkrimin ai tha: “Në momentin që i nënshtrohem presionit nga kush do qoftë, unë jap dorëheqje nga parlamenti i Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/