Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu i ka shkruar një letër kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj nga i cili ka kërkuar që të gjej zgjidhje për grevën e mësimdhënësit ose të lëshoj rrugë.
Sejdiu ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të gjej zgjidhje urgjente.
“Diku 500 mijë nxënës dhe studentë të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve janë jashtë klasave, duke çrregulluar në tërësi procesin e mësim-nxënies në vendin tonë… Besoj se nuk kam nevojë t’ju flas për dëmet që kjo grevë po i shkakton vendit tonë, e as për arsyet që na kanë sjellë në këtë gjendje të krizave të shumta sociale…”, shkruan Sejdiu.
Ndryshe, sot Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës të Kosovës ka hyrë në ditën e 11-të të grevës, përmes së cilës kërkojnë ngritjen e gjithë koeficienteve në sektorin e arsimit për së paku 30%.
SBASHK-u përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se këshillat greviste komunale, ai i Universiteteve të Kosovës dhe Këshilli Qendror Grevist kanë analizuar dy javët e grevës së përgjithshme në tërë sektorin e arsimit dhe ka vendosmëri për vazhdimin e grevës deri në përmbushjen e kërkesave. /Telegrafi/