Deputeti Ramiz Kelmendi i vetmi nga zyrtarët e LDK-së që ka folur, lidhur me atë se pse asnjë zyrtar i kësaj partie nuk ishte i pranishëm në cermoninë komemorative dhe në varrimin e veprimtarit Adem Demaçi.
Deputeti pejan thotë se qëndrimet e përhershme të Demaçit kundër Ibrahim Rugovës dhe LDK-së mund të kenë ndikuar në marrjen e një vendimi për të mos shkuar në varrim të njeriut që kishte qëndruar 28 vjet në burgjet e Serbisë.
“Mund të jetë ndoshta një procesi historik. Qëndrimi, ndoshta, i Demaçit ka qenë anti-Rugovë, anti-LDK dhe sigurisht se Kryesia e LDK-së i di këto punë. Në bazë të historisë vendosë a me shku a po jo me përcjell”, tha ai, për Express.
Ai ka thënë se vazhdon të ketë probleme shëndetësore, prandaj as që nuk i ka shkuar mendja të shkojë në varrimin e Demaçit.
Në këtë situatë, Ramiz Kelmendi, ka thënë se duhet të pyetet edhe Ismet Beqiri për qëndrimin e Partisë.
“Këto çështjet politike është mirë të bisedoni me Sekretarin e LDK-së. Mua më takon më shumë resori ekonomik. LDK ka strukturat udhëheqëse dhe vendimet e tyre janë të zbatueshme për neve deputetët e LDK’së. Ata e dijnë pse kanë marrë vendime të tilla dhe ne i respektojmë ato vendime”, ka shtuar ai.
Adem Demaçi është varrosur sot me nderime shtetërore në varrezat e Velanisë aty ku është edhe Ibrahim Rugova.
Ndërkohë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar lart figurën e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në ditën e varrimit të tij.
Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar fjalët e Ibrahim Rugovës për Adem Demaçin, i cili sipas tij thoshte: “Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh”. /Telegrafi/