Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga rradhët e partisë në pushtet, PDK dhe presidenti i “Elkos group-Etc”, Ramiz Kelmendi, ka reaguar dhe është shprehur tejet kritik ndaj Ligjit për investime strategjike, i cili ka shkuar në diskutim publik, i sponsorizuar nga Ministria për Tregti dhe Industri e Qeverisë së Kosovës.
Kelmendi ka paraqitur shembuj konkret mbi dëmet dhe pabarabartësinë që, si i tillë, ky ligj e sjell, duke kategorizuar pa bazë investitorët e mundshëm.
Deputeti dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi ka kërkuar që përmirësimet në këtë çështje të bëhenn brenda 30 ditëve, meqë, sipas tij, një mundësi e tillë ende është e mundur.
Ja shkrimi i plotë i Ramiz Kelmendit:
Ligjet dhe shpresat e investitorëve të rinj dhe qytetarëve të papunë
Kemi në diskutim publik ligjin për investime strategjike që sipas përpiluesit është mungesë dhe pengesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Është e vërtetë se Kosova është në fillim të rrugës së zhvillimit të vet dhe që i nevojitet një zhvillim ekonomik dyshifrorë, pra mbi 10 % në vit, (kur e shohim këtë rritje na duket e lartë, ndoshta e pamundur, por nëse paga rritet 10 % na duket e vogël), dhe nga kjo faktojmë se çdo rritje ekonomike vjetore nën 10% pra është e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës të cilat janë në rritje.
Andaj nëse ky ligj për invetime strategjike e realizon këtë synim, (shembulli i sipër shënuar), atëherë jemi në rrugën e duhur.
Vetëm po e citoj së asnjë investitorë në Republiken e Kosovës nuk vlerësohet strategjik nëse investimi i tij është nën 5 milionë euro dhe për disa sektorë shkon deri në 40 milionë euro.
Në këtë ligj i kemi të pershkruara vetëm 14 sektorë, prej nga nëse realizojmë vetëm nga një investitor në çdo sektor do të kemi 235 milionë euro investime minimale dhe 640 të punësuar obligativë. Nga kjo del se për çdo vend pune nevojiten së paku 360 mijë euro, pra, është kjo vlerë e madhe për një të punësuar ndërsa për 100 mijë të punësuar, investimi do duhej të jetë 37 miliardë euro.
Nga këta shembuj dalin pyetjet:
a) A kemi zotësi ministrore të përpunimit të këtyre investimeve ?!
b) A janë në pritje të aprovimit të këtij ligji investitorët e shumtë ?!
c) A është ky ligj selektiv ?!
Vetëm po e theksoj se kemi dy lloje investimesh:
1). Investime të cilat kanë vlerë të madhe financiare dhe punësime të vogla për shkak të procesit teknololgjik dhe makinerive të avancuara.
2). Investime të vogla finansiare deri në 5 milionë euro, por që punësojnë shumë qytetarë, (industria e tekstilit, këpucëve dhe ajo ushqimore).
Kur shohim këtë, kuptojmë se kemi qasje selektive, të demshme në raport me investitorët për nga vlera financiare dhe për nga numri i të punësuarve, sepse investimet më të mëdha për nga numri i të punësuarve i bëjnë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm me vlera finansiare përkufizuese nën 5 milionë euro.
Andaj nga kjo edhe del se bizneset e Kosovës në masë të madhe qëndrojnë nën 5 milionë euro dhe nuk mundë të trajtohen si strategjik. Rezultat i këtyre shembujve dhe fakteve, konstatojmë se ligji në fjalë (ligji për investime strategjike) është diskriminues, antinjerëzorë dhe vazhdim i traditës së vazhduar të kuptimit se vetëm të tjerët janë zhvillues të Kosovës dhe se brendi të Kosovës nuk e ka asnjë investitorë strategjik.
Kur trajtojmë çështjen dhe faktin se ky llgj strategjik ka synimin e sjelljes së investitorit me emër, pyesim: Kush janë emrat e mëdhenj ekonomikë? Çka bëhet me ata që nuk janë emra të njohur, por kanë mjete të mjaftushme? Kush do t’i trajtoj projektet e tyre investuese nga ana profesionale. Të gjitha këto të ngulitura në koken tonë e dëmtojnë procesin e trajtimit profesional. (p.sh. Klubi i Prishtinës shpall konkurse për lojtarë me emër. A do lajmërohet Ronaldo për tu kontraktuar në këtë ekip?).
Pra, nga shembujt konkret konstatojmë lehtë se, ne kemi problem me kuptimin e fjalës investitorë. A kërkojmë investitorë që punëson qytetarë apo investitorë që … Sërish, vetëm po citoj dhe kujtoj, se investitor strategjik për Kosovën është secili qytetar i Kosovës apo i huaj që punëson vetëvetën, apo punëson pranë vetës duke filluar nga një person deri në mijëra punonjës e që investon nga një euro deri në miliona euro.
Çfarë ligji strategjik duhet të ndërtohet për të punësuar dhjetëra mijëra studentë që dalin çdo vit të përgatitur. Çka duhet t’i thoni nesër profesor dhe ligjvënësa e ligjsjellësa atyre studentëve që dilni para tyre për t’i përgatitur për punëdhënie dhe punësim. Apo do t’iu thoni së kësaj radhe nuk kemi ligje për ju?
Referuar nga këta shembuj, mendoj që ne fare nuk po i analizojmë mundsitë e ligjeve ekzistuese dhe modifikimin e tyre. Ato ligje e kanë sjellë Kosovën në këtë nivel. Këta investitorë e kanë sjellë në këtë nivel, e i cili është për tu admiruar por që duhet të vazhdohet me avansim dhe modifikim. Krahas kësaj, OK, edhe ndonjë ligj i ri që do të zhvillonte dhe punësonte njerëzit e rinjë, do ishte mëse i nevojshëm.
Andaj si referencë e këtij realiteti, thirrja ime do ishte se, duhet të punohet që të hiqet nga koka mendjemadhësia e trajtimit adekuat të investitorëve edhe vendorë edhe të jashtëm, sepse, po citoj: Vetëm investitorët e kanë për rol të punësojnë dhe zhvillojnë edhe vetën edhe ekonominë kosovare.
Institucionet duhet të kenë synim shërbimin, legjislacioni që këta investitorë nuk i pengon në realizimin e investimeve. Mos të harrojmë se, pa qenë në shërbim të bizneseve për t’i zgjedhur çështjet nuk mundë të jesh në shërbim të qytetarëve. Të gjitha kërkesat e bizneseve e në veçanti ato prodhuese, fokusohen në heqjen e doganes në të gjitha repromaterialet dhe ambalazhimet të cilat po e bëjnë të pa konkurrueshëm tregun e Kosovës. Apo mos edhe këto pengesa të këtyre bizneseve do qëndrojnë si pengesë për investitorët strategjikë, (Ata sigurishtë i analizojnë para se të vijnë dhe nuk sygjerojnë për heqje, por sygjerojnë për mos-ardhje sikur në rastin tonë).
Derisa bizneset ekzistuese nuk janë të barabarta në tregun e Kosovës me bizneset e jashtme që operojnë në Kosovë. Derisa kemi legjislacion që nuk po lejon fuqizimin e tyre në tregun vendor, ne nuk mund të krijojmë legjislacion që do t’i fuqizon në tregun ndërkombëtar.
Kërkesa jonë e vazhdushme është që eksporti të rritet në raport me importin, por asnjëherë ky debalanc nuk do përmiresohet nëse nuk trajtohen me kujdes të gjitha kërkesat e bizneseve prodhuese si dhe nuk plotësohen kërkesat e arsyeshme me shpejtësi.
Konkluzë:
Kjo mund dhe duhet të përmirësohet brenda 30 ditëve. I tërë legjislacioni i cili pengon fuqizimin e prodhimeve duhet dhe mundë të përmirësohet brenda 90 ditëve.
Pa e plotësuar dhe implementuar legjislacionin në fjalë, shpresa dhe agonia për të papunët dhe për investitorët e rinjë do të vdesë. Mos të humbasim kohë dhe të japim shpresë me ligje të reja dhe emërtime madhore sepse e dëmtojmë seriozisht punësimin dhe zhvillimin ekonomik.
Krejt në fund, secili nga ata investiture që i plotëson kushtet e faktuara si më lartë, do të ishte mëse i mirëseardhur.
Ramiz Kelmendi, president i “Elkos group-Etc” / Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga PDK.