Site icon Telegrafi

Deputeti i PD: Kriminaliteti në Shqipëri jashtë kontrollit, makina luksoze qarkullojnë me vërtetime të Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Dashnor Sula ka ngritur sot shqetësimin se kriminaliteti në vend ka dalë jashtë kontrollit dhe policia nuk mund ta parandalojë dot më atë. Sula rendit rastet e ditëve të fundit, nga kapja e një sasie kokaine në Durrës, te plagosja në Shkodër dhe vrasja e sotme në Tiranë, për të thënë se të gjitha ato ngrenë hije dyshimi për rolin e forcave blu.

Në të njëjtën kohë, deputeti demokrat ngre edhe një shqetësim tjetër. Sipas tij, në Tiranë dhe qytete të tjera po vihet re se makina të shumta luksoze lëvizin me një vërtetim të Kuvendit të Shqipërisë në xhapin e parë. Këto vërtetime u jepen deputetëve për të pasur lehtësira parkimi kryesisht gjatë seancave plenare apo komisioneve parlamentare, por sicc duket po përdoren nga persona të paautorizuar për t’i përfituar këto lehtësira.

Postimi

Ngjarja në ditët e fundit të vitit që lamë pas ku u kapën 119 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë, por që mbart edhe shumë hije dyshimi e pikëpyetje dhe ngjarjet e dy ditëve të fundit tregojnë se kriminaliteti në Shqipëri është jashtë kontrollit.

119 Kg kokainë u lajmërua se u kap më 30 Dhjetor. Por më pas doli se Policia e Shtetit ishte totalisht e pa informuar dhe e vonuar pasi shkoi tek kompania 1 ditë me vonesë pas telefonatës së pronarit. Miliona euro kokainë futen në Shqipëri por policia nuk është asgjëkund. Këto miliona euro janë të sigurta në investime në lejet e ndërtimeve shumëkatëshe të bashkisë Tiranë dhe në rezorte në jug të vendit para syve të qeverisë, të policisë e prokurorisë. Një tjetër mënyrë sesi bota e krimit fut lekët e pista në qarkullim janë fajde-t që japin tek biznesmenët në hall dhe qe kur si kthejnë ose ia marrin biznesin ose kërcënohen me jete por edhe më keq ekzekutohen.

Lexo po ashtu Të shtëna me armë në Tiranë, një i vrarë dhe katër të plagosur

Më 3 dhjetor, një mesoburrë u plagos në Shkodër. Ngjarja nuk është zbardhur plotësisht, por ajo që dihet është se në vendngjarje më shpejtë shkoi kushëriri i personit të plagosur se policia. Ndërkohë personi i plagosur edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar jetonte i qetë në vendin tonë.

Sot, breshëri plumbash në mes të një lokali. Atentat tipik mafioz që nuk kursen as të pafajshmit. Deri më tani një person ka mbetur i vdekur dhe 4 të tjerë të plagosur. Nga informacionet që raportohen në media personat rezultojnë me precedent penal të mëparshëm. Por qarkullonin të lirë në vendin tonë, Policia nuk i sheh, por armiku i gjen lehtë.

Edhe në rastin e sotëm targa e automjetit që lëviznin autorët ishte e vjedhur. Fenomen i përsëritur. Tashmë pa frikë mund të themi se çdo denoncim për një makinë të vjedhur apo për një targë të vjedhur është një paralajmërim për një ngjarje kriminale. Policia duhet ti mbaj në konsideratë këto detaje.

Ndërkohë të gjithë e keni vënë re në Tiranë por edhe në qytetet e tjera që shumë makina luksoze qarkullojnë duke patur në xhamin e përparëm të makinës një tabelë që lëshohet nga kuvendi, kryesisht për deputetët. Nuk i tërheq vëmendjen kjo gjë policisë? Nuk i bën llogaritë sesa deputetë ka Kuvendi Shqipërisë? Pse nuk i ndalon ato makina?! Është e korruptuar policia nga këta persona apo është e frikësuar?

Ngjarjet e fundvitit dhe të ditëve të para të këtij viti janë në fakt paralajmërim i një viti të vështirë që kërkon vullnet politik për ti parandaluar. Situata në Shqipëri është shëmbëlltyrë e qeverisë.

Exit mobile version