Deputeti kanadez, Kyle Seeback, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e shënimit të 16 vjetorit të pavarësisë.
Këtë urim ai e ka bërë në gjuhën shqipe teksa ka folur në Parlamentin e Kanadasë.
Para deputetëve ai ka thënë se rruga e Kosovës drejt pavarësisë nuk ka qenë e lehtë, ndërsa ka folur për luftën dhe vrasjen e mijëra shqiptarëve.
“Gjatë luftës së saj për liri në vitin 1999, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u bënë refugjatë. Historitë e tyre të tragjedisë dhe vuajtjes janë vërtet të vështira për t’u dëgjuar”, është shprehur Seeback.
Deputeti më tej ka thënë se Kanadaja ishte ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, ka treguar si e fejuara e tij ishte refugjate nga Kosova në Kanada gjatë luftës.
“Kanadaja ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe Kanadaja mirëpriti mbi 7000 refugjatë kosovarë në Kanada, duke përfshirë të fejuarën time dhe të gjithë familjen e saj. 25 vjet më vonë, ata ish-refugjatë kanë ndërtuar jetën këtu në Kanada. Ata e kanë pasuruar Kanadanë me kulturën, punën e palodhur dhe dashurinë e tyre për Kanadanë”. /Telegrafi/