Telegrafi

Deputeti i LDK-së i quan shëtitje takimet e zyrtarëve qeveritarë në komuna shkaku i pandemisë

Kosova është duke e vazhduar përballjen e saj me pandeminë e coronavirusit.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga Qeveria dhe institucionet shëndetësore, numri i të prekurve nga ky virus ka arritur në 184.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me ministra nga dikastere të ndryshme këto ditë ka filluar t’i vizitojë komunat e Kosovës, kryesisht ato të cilat janë prekur nga kjo pandemi.

Pavarësisht rënies së Qeverisë, ministrat në detyrë të LDK-së po vazhdojnë të kryejnë punën e tyre e madje po zhvillojnë edhe takime për të bashkërenduar hapat në luftimin e kësaj pandemie.

Por një gjë e tillë siç duket nuk po i pëlqen shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili ka kritikuar Qeverinë për zhvillimin e këtyre takimeve në teren.

Gashi përmes një postimi në Facebook, i ka quajtur shëtitje nëpër komuna takimet e zyrtarëve qeveritarë.

“Nëse Qeveria mbanë mbledhjet (me 18 anëtar të Qeverisë) në distancë, si masë mbrojtëse kundrejt Covid-19, bën thirrje në vazhdimësi për respektim të masave të ndërmarra nga institucionet relevante për të qëndrua në shtëpi, qysh mundet me arsyetu shëtitjen nëpër komuna të Kosovës – ku bashkë me delegacion pritës bëhen rreth 50 zyrtar, pikërisht në javët më kritike të përhapjes potenciale të virusit?”, ka shkruar Gashi. /Telegrafi/

Më poshtë aktivitetet e ministrave në detyrë të LDK-së përmes fotografive: