Pas Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për caktimin e çmimeve të produkteve bazike, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi e ka mirëpritur këtë vendim.
Gashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vendimi është i drejtë dhe siç u shpreh ai “është edukues që në të ardhmen të mos bëhen gabime të këtij lloji”.
Deputeti i LDK-së, tutje tha se edhe pse i kanë dhënë këshilla Qeverisë së Kosovës, ata nuk i kanë dëgjuar.
“Vendim i drejtë dhe i mirëpritur dhe besoj që është dhe edukues në sistemin tonë që mos të bëhen edhe gabime tjera në të ardhmen të këtij lloji. Gjithsesi ne i kemi dhënë këshilla Qeverisë se si mund të vendosen çmimet tavan për çështje me interes vital për qytetarët, e Qeveria nuk ka dëgjuar dhe është dashur me shpall gjendjen emergjente dhe pastaj me afat të kufizuar me caktu kohën se deri kur mund të vendosen çmime tavan, në mënyrë që të mbrohet interesi i qytetarëve”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar aktgjykimin për Ligjin lidhur me masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ligj ky që ishte dërguar në Kushtetuese nga 10 deputetë të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK). /Telegrafi/