Deputeti grek, Giannis Kallianos ka folur për vëllain e tij, i cili është në gjendje të rëndë për shkak të coronavirusit.
Me anë të një postimi në Facebook, sqaron se çfarë simptomash po përjeton vëllai dhe i bën thirrje të gjithë njerëzve që të respektojnë masat pasi është sëmundje shumë serioze.
“Prej disa ditësh, ai është shtruar në spital për shkak të coronavirusit, merr frymë me oksigjen, e ka temperaturën 40 gradë, ka pneumoni. Merr 2 antibiotikë, injeksione intravenoze të kortizonit dhe insulinës. Kollitja e tij është e fortë saqë ai nuk mund të ecë dhe nuk mban dot ekuilibrin”, shkroi Kallianos.
Ai theksoi se një ditë më parë ka qarë si fëmijë i vogël pasi vëllai mezi nxori dy fjalë dhe i tha se ishte i frikësuar nga sëmundja, gjë që familjarët duket se po e përjetojnë shumë keq pasi nuk kanë asgjë në dorë për ta ndihmuar.
Postimi i plotë:
Unë u përpoqa të mos flas gjatë gjithë këtyre ditëve sepse psikologjikisht nuk jam aspak mirë por zemërimi im është i madh ndaj atyre që nuk vendosin maskën dhe të gjithë atyre që besojnë se nuk ka coronavirus.
Prej disa ditësh, ai është shtruar në spital për shkak të coronavirusit, merr frymë me oksigjen, e ka temperaturën 40 gradë, ka pneumoni. Merr 2 antibiotikë, injeksione intravenoze të kortizonit dhe insulinës. Kollitja e tij është e fortë saqë ai nuk mund të ecë dhe nuk mban dot ekuilibrin.
Temperatura dhe ethet e kanë shoqëruar për më shumë se 10 ditë. Dje dhe sot ka qenë pak më mirë. Trupi i tij reagoi ndaj antibiotikëve që i dhanë.
Faleminderit të gjithë mjekëve për gjithçka që bëjnë! Zoti i bekoftë, kjo është më e pakta që mund të them! Zoti u dha atyre forcën për të shpëtuar mijëra jetë çdo ditë në të gjithë botën. Unë jam në kontakt të përditshëm me ta dhe ata më informojnë çdo 8 orë për gjendjen e tij shëndetësore. Më thanë që kemi kaluar pjesën më kritike, por ende nuk mund të thuhet që ai është shëruar plotësisht.
Uroj që asnjë person në botë të mos e kalojë këtë pikëllim dhe ankth që familja ime dhe familja e tij po përjetojnë këto ditë. Një ditë më parë po qaja si një fëmijë i vogël sepse e telefonova dhe mezi më thoshte një fjalë. Ai më tha se nuk po ia dilte mirë dhe se ishte shumë i frikësuar. Ndjeva se nuk mund të bëja asgjë për ta ndihmuar, madje as për të shkuar për ta parë. Ai ishte shumë i frikësuar, ishte në një dhomë me një fëmijë tjetër dhe po luftonin së bashku. Për fat të mirë, ata të dy po përmirësohen shumë ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme. Është tragjike ajo që po jetojmë me pandeminë.
Ju lutemi të jeni shumë të kujdesshëm, nuk mund të imagjinoni sa probleme krijon coronavirusi nga momenti kur dikush duhet të trajtohet. Vaksinohuni kur të vijë koha juaj. Bëni kujdes, mbani maska, mos harroni për një sekondë të jeni përgjegjës. Ju lutem, po e përjetoj nga afër!
Ky virus është një makth. Ju lutemi jini të përgjegjshëm dhe mbroni veten dhe njerëzit tuaj. /tch/