Me vendim të kreut të partisë opozitare greke Agimi i Artë, Nikos Michaloliakos dhe me miratim të grupit parlamentar, deputeti Konstantinos Barbarousis është përjashtuar nga partia për shkak të qëndrimit të tij të shprehur nga foltorja e Parlamentit grek ku bëri thirrje deri te ushtria që të arrestojë kryeministrin Tsipras, partnerin e koalicionit Kamenos dhe presidentin Pavlopoulos, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i Agimit të Artë, theksoi se deklarata e deputetit Barbarousis nuk është në pajtim me qëndrimet zyrtare të partisë.
Paralelisht, sipas informatave të agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, ministri i mbrojtjes, Panos Kamenos dhe zëvendësi i tij Fotis Kouvelis, do të ngrisin padi në Gjykatën Supreme të Greqisë kundër deputetit të Agimit të Artë dhe do të kërkojnë nga prokurori, Barbarousis të hetohet penalisht./Telegrafi/