Telegrafi

Deputeti gjerman: Vendimi për Klan Kosovën, negativ për pluralitetin mediatik

Raportuesi përgjegjës për Ballkanin Perëndimor i partisë FDP në Bundestagun gjerman, Thomas Hacker, ka reaguar në lidhje me vendimin e MINT-it për të refuzuar ankesën e Klan Kosovës në lidhje me pezullimin e certifikatës së biznesit.

Në një postim në Twitter, ai ka thënë se viteve të fundit, liria e medias është përmirësuar në Kosovë, por se vendimi i së premtes për Klan Kosovën, do të ndikojë negativisht në pluralitetin mediatik.

“Liria e medias është përmirësuar në Kosovë gjatë viteve të fundit. Vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për heqjen e licencës së biznesit të klan Kosovës do të ndikojë negativisht në pluralitetin mediatik”, ka shkruar Hacker, teksa ka shpërndarë edhe artikullin e Reutersit që flet pikërisht për këtë rast.

MINT-i e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Televizioni ka paralajmëruar ankesë në shkallët më të larta të drejtësisë, ndërkaq vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit ka nxitur reagime të shumta. /Telegrafi/