Telegrafi

Deputeti Dreshaj: Gjendje jo e mirë e rrugës Pejë-Rugovë, Qeveria të veprojë urgjent

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se rruga Pejë-Rugovë është kthyer në rrezik për jetën e qytetarëve.

Ai ka akuzuar pushtetin për neglizhencë dhe sipas tij nëse nuk merren masa, mund të ndodh ndonjë katastrofë.

“Rruga Pejë Rugovë është në gjendje të mjerueshme. Traseja me gropa te panumërta, me dis-nivele, me rreshqitje dheu dhe shkëmbinjve. Por më e rrezikshmja është gërryerja e shtresës së rrugës nën asfalt. Kjo rrezikon funksionimin e shumë hoteleve, restoranteve, firmave por çka është më shqetësuese kjo rrugë është kthyer në rrezik permanent për jetën e vizitorëve të shumtë që e frekuentojnë këtë rrugë”, ka thënë Dreshaj.

Ai ka shpërndarë disa fotografi të rrugëve dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që të veprojë.

“Kjo rrugë që kur është ndërtuar në vitet 1914-1918, deri më sot nuk ka lëvizur traseja e saj. Pse po ndodhë kjo sot, me arterien e vetme të Parkut Nacional të Beshkëve të Nemura, qe menaxhohet nga shteti? Është çështje kohe kur do të ndodhë ndonjë katastrofë. Qeveri vepro urgjent dhe parandalo më të keqen”, ka thënë ai.