Deputeti i AAK-së, Arber Tolaj, ka reaguar ndaj nënkryetares së LVV-së, Fatmire Mulhaxha -Klloçaku, e cila kishte postuar në profilin e saj në Facebook një citat të një analisti serb, që ka thënë se ‘Kurti në përballje me Serbinë është më i fortë sepse nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’.
“Citimi i analistëve serb nga ana e nënkryetares së VV-së, Fatmire Mulhaxha, me qëllim të ngritjes së Kurtit dhe nënvlerësimit të UÇK-së, është veprim jo vetëm i pa menduar mirë, por i turpshëm dhe dëshpërues njëkohësisht”, theksoi ai.
Ndër të tjera, ai tha se tendenca e saj për përfitim të poenëve politik, nëpërmjet gjuhës së analistëve serb, është e dhimbshme po aq sa fyese, sikundër që nuk i bën nder as subjektit të saj politik.
“Ky veprim shpërfaq naivitetin e anëtarëve të lartë të VV-së, që me apo pa vetëdije i bashkohen atyre që me shpifje e trillime tentojnë ta zhvlerësojnë luftën tonë të drejtë për liri”, deklaroi deputeti Tolaj.
“Ja rikujtojmë Zonjës Mulhaxha, por edhe atyre që mendojnë si ajo se Lufta e UÇK-së, mbetet pjesa më e ndritur e historisë së Kosovës.
Krenar përjetësisht dhe pafundësisht me vlerat sublime të UÇK-së”, shkroi deputeti Tolaj në profilin e tij në facebook.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deputetes së LVV-së, Fatmire Mulhaxha -Klloçaku, e cila të shtunën ka postuar në profilin e saj një citat të një analisti serb, që ka thënë se ‘Kurti në përballje me Serbinë është më i fortë sepse nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’, duke apostrofuar Thaçin pasi udhëheqë bisedimet me Serbinë.
Thaçi, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se është krenar që ka qenë Drejtor Politik i UÇK-së por është shprehur se ndjehet i befasuar me deklarimin e deputetes Mulhaxha -Klloçaku. /Telegrafi/
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire-Mulhaxha Kollçaku thotë se është keqinterpretuar sa i përket UÇK-së, pasi thekson se vetëm ka cituar një analistë serb, për të treguar se sa shumë kundërshtarë ka Albin Kurti.
Kollçaku ka thënë se një citat i postuar nga mediat serbe se ardhja e Albin Kurtit paraqet rrezik për Serbinë dhe me gjerë nuk ishin fjalë saja por vetëm citim se sa shumë ka kundërshtarë të tij./Telegrafi/