Site icon Telegrafi

Deputeti i AAK-së i përgjigjet Hotit: Kthehu në realitet, ‘e pamja’ zgjat një javë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shkumbin Demaliaj, ka reaguar ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pasi ky i fundit ka kritikuar Qeverinë Haradinaj.

Në mesin e kritikave të Hotit, ishte edhe vërejtja se ka kohë prej kur që zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës kanë vizituar një shtet tjetër ose ndonjë zyrtar i ndonjë shteti tjetër, ka vizituar Kosovën.

Demaliaj përmes një shkrimi, i është kundërpërgjigjur kritikave duke thënë se kryeministri Haradinaj po merr mbështetje nga SHBA dhe Trump për punën që po bënë.

Ai më tej, ka shkruar se Hoti ende nuk po pajtohet me përmbysjen e qeverisë teksa i ka kërkuar që të kthehet në realitet.

“Paska fol Avdullah Hoti sot. Paska thënë se Kosova s’ka qenë asnjëherë më e izoluar se sot nën qeverinë e Ramush Haradinajt. Dhe pikërisht në ditën ku udhëheqësit e Kosovës, duke përfshirë edhe Kryeministrin Haradinaj, marrin mbështetje të fuqishme nga ShBA dhe nga Presidenti Trump si dhe vlerësim për punën që po bëjnë. Avdullah Hoti, assesi s’po pajtohet me përmbysjen e qeverisë ku vetë ishte ministër. Por “e pamja” zgjat vetëm një javë. Avdullah kthehu kah realiteti”, ka përfunduar Demaliaj. / Telegrafi/

Exit mobile version