Telegrafi

Deputetëve të pozitës në Kuvend iu harxhuan bateritë (Video)

Megjithëse kishin këmbëngulur gjatë për mbajtjen e seancave, deputetët e pozitës u “shpenzuan” shpejt. E pas 7 orësh seancë, edhe bateritë e telefonave të deputetëve u shpenzuan, çka bëri që deputetët të huazonin mbushësit nga njëri tjetri.

Arben Gashi i LDK-së, e mori atë nga Agim Aliu i PDK-së, kurse për telefonin e Blerta Deliut, u kujdes Selvije Halimi duke i zgjatur kabllon e mbushësit të saj.

E disa prej deputetëve që ishin uritur, u vetë-shërbyen me ëmbëlsira e shkopinj të njelmët.

Të shpërqendruar nga debati në Kuvend, disa prej deputetëve kthjelleshin vetëm kur vinte koha për të votuar.Si gjithmonë ishte shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ai që kujdesej për t’i mbledhur deputetët, kur nevojiteshin votat e tyre.

Ndër të parët që humbi durimin nga tejzgjatja e seancës, ishte Naser Osmani i LDK-së.

E pasi mori votat e nevojshme për t’i zëvendësuar kolegët e tij në komisionet parlamentare, Nenad Rashiq hoqi kollaren për t’u relaksuar.

Kurse u desh t’i vinte radha për shqyrtim një kërkese të kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, që dy ish-kryetarët e Prishtinës, Ismet Beqiri e Isa Mustafa të dilnin në foltoren e Kuvendit.

Të lodhur nga kjo seancë e gjatë, deputetët si duket mezi kishin pritur fundin për t’u larguar nga Kuvendi.

E ata që u larguan të fundit, ishin policët e shumtë që gjatë gjithë kohës kishin ndenjur në hollin e Kuvendit. Por para kësaj, ata dëgjuan një ligjëratë nga komandanti i tyre, për detyrat e ditëve në vijim.