Site icon Telegrafi

Deputetët të premten kthehen në punë, në seancën e parë janë vendosur pesë interpelanca

Të premten deputetët kthehen në punë, ndërsa në seancën e parë plenare do të diskutohet për interpelancat për zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhiti, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve Ivan Stoilkoviq, ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme Astrit Iseni, si dhe deputetes dhe kryetares së Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.

Fillimi i seancës së 29-të, sipas informacioneve nga uebfaqja e Kuvendit, është caktuar në orën 11:00.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më 26 dhjetor ka thënë se çdo interpelancë do të shqyrtohet veçmas dhe se për të mund të diskutohet gjatë gjithë ditës, varësisht se sa deputetë janë të regjistruar për të folur.

Megjithatë, në fund të ditës, duhet të votohet.

“Çdo interpelancë diskutohet gjithë ditën, në fakt sa deputetë janë paraqitur për të folur. Seanca mund të zgjasë, por deri në fund të ditës duhet votuar pas interpelancës specifike. Çdo interpelancë diskutohet për një ditë dhe në fund votohet ndaras për secilën”, tha Gashi./Telegrafi/

Exit mobile version