Site icon Telegrafi

Deputetët refuzojnë raportin e Qeverisë për mjedisin

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor në mënyrë unanime vendosi të mos e aprovojë Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015. Një gjë e tillë ndodhi me arsyetimin se ky raport ka shumë të meta dhe nuk e ka pasqyruar gjendjen reale të mjedisit në Kosovë.

Anëtari i këtij grupi, Shaip Muja, tha se një raport i tillë mund të jetë i mirë për Qeverinë e Kosovës, pasi që ata edhe e kanë pranuar me të metat që i ka, por, sipas tij, kurrsesi nuk është dashur të vijë në Parlamentin e Kosovës.
“Kur flitet në planifikimin hapësinor që thuhet dendësia e popullatës është më e madhe në pjesët urbane, se sa në ato rurale dhe kontaminimi nga sulfuri nuk paska impakt për shëndetin e popullatës”, tha Muja.

E anëtari i këtij komisioni, nga AAK, Lahi Brahimaj, ishte kundër këtij raporti me arsyetimin se së pari është dashur të pritet vlerësimi i gjendjes së ambientit nga ana e grupit punues të komisionit.

“Mendoj që ky raport fillimisht nuk duhet të kalohet hiç. Fillimisht ne kemi bërë një grup punues i cili do të merret me gjendjen e ambientit, pastaj kur të vijë vlerësimi prej grupit punues në teren atëherë mund të diskutohet a korrespondon ky raport me të dhënat”, tha ai.

E anëtari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha se në këtë raport nuk përfshihet asnjë e dhënë nga viti 2015, por, përfshinë vetëm vitin 2014 dhe vitet e mëparshme.

Në anën tjetër zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Sali Salihu, propozoi që përveç raporteve të bëhen edhe analiza se pse në Kosovë ka shumë raste të vdekshmërisë nga kanceri, nëse ato janë nga produktet e importuara apo nga toka e Kosovës, ku edhe mbillen produkte bujqësore. /Telegrafi/

Exit mobile version