Sjelljet dhe gjuha joparlamentare në Kuvendin e Kosovës do të sanksionohen, përmes Kodit të sjelljes që pritet të miratohet së shpejti.
Deputetët që ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seancë të Kuvendit, do të dënohen deri në 20 për qind të pagës bazë, derisa do t’iu pamundësohet edhe pjesëmarrja në tri seanca plenare.
Miratimi i këtij kodi mirëpritet nga monitoruesit e punës së legjislativit, megjithatë kritikohet gjuha seksiste që sipas tyre, është përdorur në rregullimin e Kodit të veshjes së deputeteve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress, se kodi i sjelljes do të përmirëson jetën parlamentare dhe ngritë kredibilitetin e deputetit.
Ai shton se të gjitha rastet e shkeljeve të lehta dhe të rënda, do t’i trajtojë Këshilli i etikës, i cili do të themelohet dhe do të përbëhet nga deputetët me një balancë pozitë-opozitë.
“Kodi i sjelljes synon në mënyrë të avancuar dhe profesionale të përcaktojë modelin e sjelljes së deputetit të Kuvendit të Kosovës. Po synojmë të ndërtojmë një shembull të deputetit të përgjegjshëm që përdorë gjuhë parlamentare dhe nuk keqpërdorë resurset e Kuvendit të Kosovës…
Kodi i sjelljes parasheh të themelohet një Këshill i etikës brenda Kuvendit të Kosovës, që përbëhet nga deputetët me një balancë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ky këshill do të trajtojë ankesat e rasteve të paraqitur në lidhje me atë që pretendohet se është shkel kodi i sjelljes. Kodi i sjelljes parasheh shkelje të lehta dhe të rënda, në varësi të llojit të shkeljes janë përcaktuar edhe masat.
Natyrisht për shkeljet e lehta janë parapa vërejtjen me gojë, me shkrim, publikimi i vërejtjes në ueb faqen e Kuvendit. Ndërkaq, për shkelje të rënda janë parapa ndalimi i pjesëmarrjes deri në tre seanca, ndalimi i pjesëmarrjes në komisione dhe natyrisht është paraparë edhe ndëshkim financiar deri në 20 për qind të pagës bazë”, thotë Rrustemi.
Mbështetje miratimit të këtij Kodi të sjelljes i ofroi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ka pasur një angazhim të madh të të gjithë grupeve parlamentare, ka qenë një disiplinë në diskutim dhe trajtim të të gjitha çështjeve. Ky kod rregullon dhe sanksionon rregullat e sjelljes për deputetin. Deputetit i ndalohet që të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvendin e Kosovës, që të pengojë ose cenojë rregullimin e punëve të Kuvendit të Kosovës, të kërcënojë apo fyej deputetët të tjerë.
Ky kod po ashtu e sanksionon edhe kodin e veshjes, gjatë zhvillimit të punimeve të një seance plenare në Kuvend, deputeti apo deputetët duhet të kenë një veshje zyrtare e cila duhet të përcaktohet. Kodi i veshjes duhet të respektohet edhe nga pjesëmarrësit të tjerë”, thotë Tahiri.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Arbër Thaçi, thotë për KosovaPress, se përpjekjet që përmes kodit të sjelljes, Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve është pozitiv. Ai shton se dokumenti synon të rregullojë sjelljen e deputetëve në kuptimin e fjalorit që përdorin, kodin e veshjes së tyre, si dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë.
Megjithatë, ai thotë se në versionin fillestar të kodit, përmbajtja e tij ka qenë seksiste në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve.
“Përpjekjet që përmes kodit të sjelljes Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve, ne e kemi pa si zhvillim pozitiv…
Në përgjithësi dokumenti synon të rregullojë prej sjelljes së deputetëve në kuptim të fjalorit që ata përdorin, deri tek veshja e tyre apo le të themi çështje të tjera si pranimi i dhuratave dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë… Përmbajtja e tij fillestare ka qenë paska seksiste, në disa përshkrime ka lënë shije seksiste apo përcaktime joadekuate në kuptimin gjinor…Në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve. Në pikëpamje gjinore versioni fillestar i tij nuk ka qenë i përditësuar me zhvillimet bashkëkohore”, thekson Thaçi.
Për hartimin e këtij kodi përveç ligjvënësve, kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. /Kp/