Tavolinat në sallën e Kuvendit të Kosovës janë dëmtuar dukshëm nga deputetët e partive opozitare të cilët në shenjë proteste në seancën e sotme plenare i goditnin me shishe, duke kërkuar kështu themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.
Përmes goditjeve me shishe qelqi në tavolina dhe përmes fishkëllimave, opozitarët kërkonin që të mos vazhdohet me punimet e seancës së sotme pa u votuar komisioni në fjalë, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Por, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk e sheh të arsyeshme ndërprerjen e seancës, ndaj ajo vazhdoi me pikat e rendit të ditës, ku njëra prej tyre ishte votimi i dy kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese.
Por, deputetët e opozitës, ata të PDK-së dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sërish e penguan këtë proces, duke e marrë kutinë e votimit dhe duke e vendosur në ulëset ku ulen deputetët./Telegrafi/