Megjithëse ishin të pranishëm 63 deputetë në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila po vazhdon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 6, 8 dhe 14 qershor, në mungesë të votave, nuk janë miratuar disa projektrezoluta të mbetura.
Me gjithë thirrjet e kryesuesit të seancës Xhavit Haliti, që deputetët e pranishëm të votojnë, disa nga ta nuk morën pjesë fare në votim.
Kuvendi nuk ka arritur që ta miratoj rezolutën e propozuar nga Lëvizja VV, nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës. Nga 63 deputetë që morën pjesë në votim, pro votuan 23, 31 kundër dhe 9 abstenime.
Po ashtu, në mungesë votash nuk u miratua as Propozim-rezoluta nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, raporton KP. Deputetët e pranishëm nuk votuan as propozim rezolutën e grupit parlamentar të LDK-së, nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.