Telegrafi

Deputetët nuk dakordohen për intervistimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së

Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të bordit të RTK-së, ka shqyrtuar sot listën prej 114 kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së, intervistimi i të cilëve nuk dihet ende se kur do të fillojë.

Kryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj propozoi që intervistimi i tyre të fillojë këtë të hënë, por që pavarësisht polemikave deputetët nuk u dakorduan për kohën.

“Nëse pajtoheni, prej të hënës në mëngjes herët, në ora 9:00, nëse ka gatishmëri edhe për në ora 8:00, por duhet edhe shoqëria civile të përgatiten, jo rruga, mundet me ra shi, me e fillu intervistimin e kandidatëve. Asnjë propozim nuk na e kanë pru, faleminderit prej shoqërisë civile… Pjesëmarrës do të jenë të gjithë të interesuarit sipas kushteve pandemike që ofron Kuvendi i Kosovës, mundësisht organizatat e shoqërisë civile me nga një përfaqësues… do të shkojmë me formën e intervistimit me gojë, e di që ka me pas zgjatje, na duhet minimum një javë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja rekomandoi që intervistimi i kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së, të fillojë të premten e ardhshme, pasi sipas tij, e hëna është shumë afër dhe nuk ka nevojë për ngut.

“Unë mendoj që e hëna është pak e ngutshme për shkak të agjendës, duhet t’iu japim mundësi të gjithë deputetëve me qenë prezent. Edhe njoftimet për këtë komision, e them me mirësjellje, duhet me ardhë më herët për shkak se ka një mbivendosje të agjendës. Kështu që, unë mendoj që e premtja kishte me qenë më mirë”, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra tha se nuk i përshtatet e premtja. Ajo u pajtua me propozimin e Zemajt.

“Sigurojeni mazhorancën që të kemi edhe deputetët e mazhorancës, të cilët duhet me qenë sot dhe gjatë gjithë intervistimit këtu nëse donë me ecë procesi. Sot mungojnë, është opozita krejt, por nuk e kemi mazhorancën”, tha ajo.

Edhe deputetët e tjerë të pranishëm treguan hezitimet e tyre për caktimin e një date qysh sot, kurse mbledhja përfundoi me largimin e deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi. /kp/